42 të arrestuar për trafikimin e mbi 1,5 ton drogë në BE, kreu i grupit kapet në Shqipëri

42 persona janë arrestuar si pjesë e një operacioni masiv policor të shtrirë në Shqipëri dhe gjashtë shtete të Bashkimit Europian. Në Shqipëri, është vënë në pranga në Shkodër një 51-vjeçar, me inicialet A.B. i cili konsiderohet si kreu i grupit kriminal.

Sipas Policisë së Shtetit, operacioni ndërkombëtar i koduar “Goldfinger”, organizuar nga EUROPOL, është drejtuar nga autoritetet e hetimit në Danimarkë, por është shtrirë edhe në Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri.

Policia ka shpallur në kërkim edhe një person tjetër në Shqipëri, por për arsye hetimi nuk bëhen të ditura gjenralitetet. Përmes veprimeve hetimore në të gjitha shtetet e lartpërmendura është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1 650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente, u sekuestruan mbi 600 mijë euro, arme zjarri, granata, disa automjete dhe objekte te ndryshme, etj.

“Në Shqipëri gjatë fazës operacionale u përfshinë Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë  Shkodër, Tiranë dhe Korçë, ku në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, mëngjesin e sotëm në Shkodër,  u bë arrestimi i shtetasit A. B., 51 vjeç, banues në Shkodër, me rol aktiv (kryetar i grupit kriminal), për veprat penale: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. U shpall në kërkim një shtetas tjetër, por për arsye hetimi, nuk bëhen të ditura gjeneralitetet”.

Njoftimi i Policisë së Shtetit

Gjatë operacionit në Shqipëri u sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milion lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro.

Shkarkoni aplikacionin e A2