Kosova kërkon reciprocitet, ministri Shala paralajmëron taksë ndaj Shqipërisë

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shqipërisë nuk po shkojnë ashtu siç duhet, të paktën në fushën e ekonomisë.

Në një event në Prishtinë lidhur me taksën 100% ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës, ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shala, paralajmëroi tarifa edhe për shtete të tjera të rajonit. Ai përmend Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dy shtete që kanë një klimë jo të mirë ndaj prodhuesve kosovarë për shkak të disa taksave të vëna ndaj tyre.

Për të sheshuar problemet, ministri Shala kërkoi reciprocitet. “Kam dëshirë dhe punoj çdo ditë për të bërë biznes që ekonomitë e dy vendeve tona të jetë e njëjtë. Bërja biznes ndërmjet dy vendeve të jetë e lehte sikurse të jetë nga Gjirokastra në Vlorë apo sikurse nga Podujeva në Prishtinë. Kjo do të thotë që duhet t’i eliminojmë të gjitha barrierat që ekzistojnë mes dy vendeve tona”, u shpreh ministri Shala.

Sa i përket Maqedonisë Veriore, ministri tha se shqetësimi kryesor i prodhuesve kosovarë është ndalimi  i eksportimit të prodhimit të lëndës së parë të peshkut. Zyrtari i qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, nuk sugjeroi ndonjë datë të saktë kur mund të ndërmerren masa ndëshkuese ndaj Shkupit dhe Tiranës, megjithatë u shpreh i hapur për bashkëpunim të plotë me vendet e rajonit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN