“Kriza politike mund të ketë ndikim në ekonomi nëse zgjat pas 30 qershorit”

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj ishte e ftuar në Ditarin e orës 13:00, në A2 CNN ku foli për krizën politike në vend dhe ndikimin që ajo ka në ekonomi. Sipas numri një të Financave, aktualisht kriza nuk ka ndikuar dhe ekonomia është në hapat e duhur, por nëse ajo zgjat pas 30 qershorit mund të përkeqësojë treguesit.

“Në fakt, ndikimi i drejtpërdrejt i krizës politike në ekonomi nuk është ndierë. Kjo nuk do të thotë që nuk do të mund të ndihet. Nëse kjo situatë do të zgjasë dhe do jetë kaotike, do të ndikojë, do të ketë ndikim. Sot, ne gjykojmë që parametrat fiskalë janë në kontroll, borxhi publik është në kontroll. Në parashikimet e fundvitit treguesit makroekonomikë të zhvillimit ekonomik dhe eksporteve janë brenda pritshmërive. Po punojmë në kapacitet të plotë dhe në hapa normalë, në kushte normale. Ekonomia është në hapat e duhur. Treguesit mund të përkeqësohen, në qoftë se situata e çoroditjes apo agonisë në pikëpyetje vijon dhe pas 30 qershorit”, u shpreh për A2 CNN ministrja Denaj.

Shkarkoni aplikacionin e A2