Procedohet penalisht ish- deputeti i PD, Bylykbashi

Policia e Elbasanit njofton se ka nisur procedim penal në gjendje të lirë për kryetarin e Partisë Demokratike dhe ish-deputetin, Aurel Bylykbashi.

Gjatë një mbledhje të Aleancës me Qytetarin në Mbrojtje të Lirisë dhe Demokracisë në Elbasan, Aurel Bylykbashi bëri thirrje për veprime të dhunshme për të penguar zgjedhjet e 30 qershorit.

“Nga ana tjetër vjen data 30, ka shumë zëra që thonë e parashikojnë Kasandrën. Domethënë do të ketë luftë civile, vëllavrasje etj. Një gjë dua ta them qartësisht dhe prerë. Personalisht me të gjithë miqtë e mi, por jam i bindur që ky është qëndrim i fortë i PD-së dhe aleatëve të saj. Ne nuk do të lejojmë zgjedhje më 30 qershor. Ka vëllavrasje. Ka luftë civile, le të ketë. Patjetër që të ketë. Ne nuk kthehemi mbrapsht sepse ne nuk bëjmë gabimin që bëjnë gjyshërit tanë në 1944 e të ngelemi peng për 40 vite të tjera. Historia të shkruajë më pas dhe të thotë kishin të drejtë këta ose ata. Ne nuk do të merremi me post ngjarjen por me ngjarjen. Nëse demokracia dhe liria rrezikohet dhe do trupat tanë për ta mbrojtur, ne jemi gati”, deklaroi Bylykbashi.

Kreu i PD në Elbasan akuzohet për veprat penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme”, “Pengimi me dhunë i veprimtarisë së partive politike” dhe “Pengimi i subjekteve zgjedhore”.

Shkarkoni aplikacionin e A2