Rama në Elbasan: PD-ja, kujtim i bukur i së shkuarës, pa asnjë shenjë të së nesërmes

Ndërkohë që pak më larg disa dhjetëra protestues të opozitës manifestonin kundër tij, Rama në Elbasan falënderoi së pari Ish kryebashkiakun Qazim Sejdini për punën e tij në 6 vjeçarin e fundit, që sipas tij i ka dhënë qytetit “një transformim historik”.

Më pas kryeministri u përqendrua tek opozita, duke ironizuar faktin që kreu i demokratëve Basha “fillimisht la punën si kryebashkiak, më pas nxori në rrugën e papunësisë deputetet e vet, kryetarët e bashkive të opozitës, dhe tani edhe Presidentin”.

Rama shtoi se në një demokraci në zhvillim “nuk ka problem të ketë përballje që tejkalojnë kufirin e mirësjelljes”, por nënvizoi se opozita po bën atë që ai cilëson si “një nga operacionet më të turpshme dhe antikombëtare që shqiptarë mund të kenë bërë në historinë e kombit”, kur pikërisht në momentin e uljes në tryezë për çeljen e negociatave  “në vend që të bashkohen me një zë, braktisin detyrën, në vend që të ngrenë flamurin e Ismailit, ngrenë atë të Haxhi Qamilit”.

Kryeministri deklaroi se ky është një “moment tragjik për çdo demokrat, që është në të drejtën e tij që unë të iki që sot, dhe ndërkohë partia e tyre është përditë e më shumë një kujtim i bukur i të shkuarës, shëmtirë e të tashmes, pa asnjë shenjë të së nesërmes”.   

Shkarkoni aplikacionin e A2