Tragjedi në kufirin Meksikë-SHBA, mbytet babai dhe vajza 23-muajshe

Një foto tragjike e përhapur këtë të mërkurë në mediat meksikane dhe amerikane ka ngritur edhe një herë alarmin për krizën e emigrantëve në kufirin mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara. Në fotografinë e publikuar fillimisht nga një gazetë meksikane dukej një burrë nga Salvadori i cili shtrihej i pajetë në breg të lumit Rio Grande, bashkë me vajzën e tij 23-muajshe, gjithashtu e pajetë.

Ai është identifikuar si Óscar Alberto Martínez Ramírez, 25 vjeç, ndërsa vogëlushja quhej Valeria. Ata u gjetën në anën meksikane të lumit, përballë qytezës Brownsville, Teksas. Bashkëshortja e Martínez, Tania Vanessa Ávalos, 21 vjeç, tha se kishte parë e tmerruar gjithë ngjarjen. Ajo tregoi se Martínez kishte kaluar fillimisht lumin me të bijën, por ishte kthyer për të marrë atë, kur një rrymë e fortë i kishte marrë me vete.

Ávalos tha gjithashtu se të tre kishin lënë vendin e tyre më 3 prill dhe pas muajsh të tërë në pritje për një takim për të bërë kërkesë për azil, kishin vendosur të provonin të futeshin në SHBA duke kaluar lumin, vendim që rezultoi fatal për familjen.

Për t’iu përgjigjur krizës së emigrantëve, demokratët miratuan me votat e tyre në Kongres një paketë me 4,5 miliardë dollarë për t’u përdorur në kufirin jugor, megjithatë do të jetë e vështirë që projektligji të kalojë në senatin e kontrolluar nga republikanët.

Shkarkoni aplikacionin e A2