Ambasada, thirrje shtetasve italianë: Shmangni “pikat e nxehta” më 30 qershor

Ambasada e Italisë në Tiranë i ka bërë thirrje shtetasve të saj që të bëjnë kujdes të dielën, pasi mund të ketë incidente dhe episode dhune në qendrat e votimit në Shqipëri.

Përmes një njoftimi zyrtar, Ambasada i bën thirrje italianëve që jetojnë në vendin tonë që të shmangin “pikat e nxehta”.

“Me rastin e zgjedhjeve vendore të kundërshtuara, të programuara për t’u mbajtur më 30 qershor, vëmë në dukje se mund të ketë çaste të tensionuara pranë qendrave të votimit, në veçanti por jo vetëm, në veri të vendit.

Për këtë arsye rekomandojmë që të shmangni zonat rreth selive të partive, ndërtesave ku janë qendrat e votimit dhe rrugët drejt vendgrumbullimeve pasi mund të ketë trazira. Ju sugjerojmë që të tregoni kujdes maksimal gjatë lëvizjeve tuaja dhe të ndiqni përditësimet e ambasadës”

Njoftimi i Ambasadës së Italisë

Një ditë më parë, ministri i Brendshëm i vendit fqinj, Matteo Salvini, tha se kishte biseduar për situatën në Shqipëri me Presidentin Meta dhe se po përpiqej të komunikonte me të gjitha palët, për të shmangur sipas tij një përsëritje të ngjarjeve të viteve ’90.

Shkarkoni aplikacionin e A2