E “largoi” nga Shqipëria, De Biasi e “ngre në qiell” Rrahmanin – A2

E “largoi” nga Shqipëria, De Biasi e “ngre në qiell” Rrahmanin

Rrahmani, Rashica dhe Gjimshiti pasi morën lajmin se nuk do të ishin pjesë e Shqipërisë në Euro 2016

E nisi karrierën me Drenicën në Kosovë, më pas u transferua te Partizani, por tashmë Rrahmani është pjesë e Serie A, pasi luajti për 4 vite edhe në kampionatin kroat.

Në kohën kur luante me Partizanin, Rrahmani zhvilloi edhe 9 ndeshje me ekipin Shpresa të Shqipërisë, ndërsa pasi u transferua te RNK Split në Kroaci, ai luajti në dy ndeshje edhe me kombëtaren kuqezi. Por kur të gjithë po mendonin se Rrahmani do të ishte një pasues i Lorik Canës te Shqipëria, ai u bë pjesë e 3 lojtarëve që u lanë jashtë Europianit të Francës, së bashku me Rashicën dhe Gjimshitin.

Amir Rrahmani me skuadrën e Partizanit

Pas këtij vendimi të trajnerit të atëhershëm De Biasi, Rashica dhe Rrahmani e braktisën kombëtaren e Shqipërisë për përfaqësuesen e Kosovës, duke u kthyer tashmë në lojtarët më të rëndësishëm të “dardanëve” që janë duke shkëlqyer.

Por ndërsa në 2016-n, Rrahmani ishte i padëshiruar për De Biasin, në një intervistë të dhënë një ditë më parë për “La Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i kombëtares shqiptare e ka ngritur në qiell mbrojtësin e Kosovës, teksa ka komentuar transferimin e tij te Verona.

De Biasi dhe stafi i tij në ndeshjen Shqipëri-Rumani në Euro 2016. (1-0 me gol nga Armando Sadiku)

“Është një mbrojtës qendror, fizikisht i fortë, i aftë në topa të larta, me një vizion të mirë të lojës. Natyrisht, përvoja në Serie A është ndryshe nga ajo që e ka fituar ai deri më tani. Por, me Dinamo Zagrebin, ai e ka fituar kampionatin kroat, një garë që e ndjek vazhdimisht, niveli i së cilës është shumë ndryshe”, është shprehur De Biasi.

Rrahmani teksa firmos kontratën e re me Veronën në Serie A

Rrahmani, tashmë  në moshën 25-vjeçare, do të vazhdojë karrierën e tij me Veronën në Itali, ndërsa është shtylla e mbrojtjes së Kosovës, ku po vendos rekorde. Në anën tjetër, një ndër repartet që Shqipëria vijon të vuaj që pas Europianit është pikërisht mbrojtja…

Shkarkoni aplikacionin e A2