Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 60%
  • Zonat malore 20%
  • Qendrat historike 20%

Kolegji Zgjedhor: Dekreti i Metës, akt absolutisht i pavlefshëm

Nga A2 CNN
27 Qershor 2019, 15:36 | Aktualitet

Kolegji Zgjedhor e ka cilësuar dekretin e 10 qershorit të Presidentit Meta, në të cilin shfuqizonte dekretin e mëparshëm për caktimin e 30 qershorit si datë të zgjedhjeve vendore, një “akt absolutisht të pavlefshëm”.

Kështu thuhet në zbardhjen e vendimit të marrë nga ky Kolegj më 24 qershor, pas padisë së ngritur nga Partia Uniteti Kombëtar. Kolegji vendosi të rrëzojë këtë padi duke i dhënë të drejtë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që nuk kishte pranuar të çregjistronte partinë e drejtuar nga Idajet Beqiri, aleate me Partinë Socialiste.

Kolegji gjithashtu konsideron se Presidenti i Republikës, përmes anulimit të datës së zgjedhjeve ka marrë kompetencat e Kuvendit.

“Në themel të vendimmarrjes së KQZ-së është fakti se Dekreti nr.11199, datë 10.06.2019 i Presidentit të Republikës është një akt absolutisht i pavlefshëm, pasi si në akt administrativ individual vjen në kundërshtim me një dispozitë urdhëruese të ligjit.

Më konkretisht, kompetencat e Presidentit të Republikës ushtrohen nga pikëpamja formale me anë të dekretit siç parashikon neni 93 i Kushtetutës. Ky përcaktim kushtetues plotësohet më tej nga dispozita të veçanta të shpërndara në Kushtetutë apo edhe në ligje të tjera, e në këtë aspekt Presidenti sipas nenit 92, germa “gj”, të Kushtetutës ka kompetencë caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin, për organet e pushtetit vendor dhe për zhvillimin e referendumeve. Kjo kompetencë lidhur me datën e zgjedhjeve është e vetmja si e tillë e shprehur në rendin ligjor shqiptar, thënë kjo duke konsideruar edhe situatën rregullatore të Kodit Zgjedhor, i cili në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon kompetenca të tjera përveç sa është parashikuar në Kushtetutë. Aspektet e vetme që rregullohen nga nenet 64 e vijues të këtij kodi lidhen me afatet dhe përcaktimin e periudhës zgjedhore.

Kolegji vëren se, në mungesë të një kompetence të shprehur në ligj, çdo veprim tjetër tej kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe ligji, bie ndesh jo vetëm me një dispozitë urdhëruese sikurse është neni 94 i Kushtetutës ku parashikohet se “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerrja në pajtim me të”, por edhe me jurisprudencën e vetë Gjykatës Kushtetuese.

Pjesë nga vendimi i Kolegjit Zgjedhor

Vendimi i plotë

A2 CNN Livestream

Debat - nga Alba Alishani