“Kryeministrin nuk e kisha takuar kurrë vetëm për vetëm”, Pjetri tregon se si iu ofrua kandidatura për Shkodrën

vlcsnap 2019 06 27 19h47m49s860 1100x620

Në emisionin “I Ftuari” në A2 CNN, Valdrin Pjetri, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Shkodrës, tregoi se si kryeministri Edi Rama zgjodhi atë për bashkinë më të madhe në veri të vendit.

Më thërriti në takim pasi u vendos Artan Lame si drejtor i Kadastrës. Ai ishte takimi im i parë me kryeministrin vetëm për vetëm. Ishim takuar nëpër mbledhje, njiheshim, por takim kokë më kokë nuk kishim pasur. Më thotë që “kam menduar të jesh kandidati për Bashkinë e Shkodrës”. Nuk e prisja, por e quajta si një nga ato mundësitë që të vijnë një herë në jetë, qoftë edhe për të bërë vetëm kandidatin”, deklaroi Pjetri.

Kandidati socialist zbuloi më tej se i kërkoi kryeministrit mbështetje për qytetin sepse, sipas tij, Shkodra “ka nevojë për reforma të thella”.

“Problem është infrastruktura”, nënvizoi Pjetri, i cili shtoi se puna e tij do të nisë menjëherë “me rikualifikimin e rrugës së hyrjes në qytet dhe ndërtimin e një piace të madhe në mes të Shkodrës”.