Kushtetuesja rrëzon delegacionin, Kosova mbetet pa ekip negociues me Serbinë

Kosova mbetet pa përfaqësues zyrtarë në dialogun me Serbinë, që ka arritur tashmë në fazën finale. Gjykata Kushtetuese e Prishtinës rrëzoi delegacionin shtetëror, pasi LDK dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkuan vlerësimin ligjit të miratuar në Kuvend lidhur me mandatin e ekipit negociues.

Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata vendosi që ekipi negociues është antikushtetues.

“Gjykata konstatoi se bartja e kompetencave të institucioneve kushtetuese tek “mekanizmi i posaçëm” i krijuar me Ligjin e kontestuar, është ndërhyrje në ushtrimin e kompetencave të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë dhe nuk është në pajtim me vlerat demokratike dhe të sundimit të ligjit, të përcaktuara me nenin 7 të Kushtetutës, sepse i ngarkon delegacionit shtetëror funksione të cilat nuk përkojnë me dispozitat kushtetuese”.

Vendim i Gjykatës Kushtetuese

Ndër të tjera, Gjykata Kushtetuese e Kosovës, thekson se përfaqësimi në sferën e politikës së jashtme është detyrë e institucioneve kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Gjithashtu saktëson se negocimi i marrëveshjeve me shtete të tjera nuk mund t’i ngarkohen delegacionit shtetëror si “mekanizëm i posaçëm”.

Opozita sfidoi ekipin negociues me të gjitha mjetet ligjore pasi dyshonte se mund të bisedonte për ndarje territoresh me Serbinë, një pretendim ky i hedhur poshtë nga drejtuesit e delegacionit.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN