Bardhi: Hila në krye të detyrës

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se shkarkimi i kreut të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, është i paligjshëm. “Zef Hila është në krye të detyrës , duke zbatuar ligjin dhe kushtetutën e vendit. Aktet e paligjshme të Kryeministrit mik të kriminelëve më të rrezikshëm të vendit janë tentativë e dëshpëruar që kërkojnë të imponojnë paligjshmëri. Sipas kodit penal të Republikës së Shqipërisë, ata që duhet të përballen me drejtësinë janë Edi Rama dhe Sandër Lleshaj”, tha Bardhi.

Ai tha gjithashtu se Edi Rama po përpiqet t’i përçajë shqiptarët. “Ai ka një skenar të rrezikshëm dhune për të dielën, të cilin shpreson t’ia faturojë opozitës. Shpresa e tij e vetme për të mbajtur pushtetin është dhuna. Me një skenar të dalë nga sigurimi i shtetit, Edi Rama dhe Sandër Lleshaj kanë vënë në shënjestër kryetarin e Bashkisë së Vaut të Dejës, të cilin nuk e thyen dot as me votë, as me kërcënimin e banditëve të tij”, u shpreh Bardhi. “PD përsërit qëndrimin e saj të prerë se asnjë militant i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ në Vaun e Dejës. Tentativa e dëshpëruar e regjimit kriminal të Edi Ramës është të bëjë simbol të 30 qershorin Tom Doshin, i cili është përfshirë në listën e zezë të SHBA për disa krimeve, mes tyre edhe krime zgjedhore”.

Shkarkoni aplikacionin e A2