Rama: Kryebashkiatët të mos kthehen në të pandehur për dyert e qendrave të votimit

Pasi ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj deklaroi se ka kërkuar shkarkimin e kryetari të bashkisë së Vaut të Dejës pas djegies së KZAZ-së një ditë më parë në Bushat, ka reaguar edhe Edi Rama.

Me anë të një statusi në “Twitter”, Kryeministri shkruan se kryebashkiatët duhet të lexojnë Kodin Zgjedhor e të mos marrin në qafë veten e punonjësit e tyre, duke u kthyer në të pandehur për dyert e qendrave të votimit.

“Çdo kryebashkiak që merret me brava shkollash të caktuara si qendra votimi, në përpjekjen harbute dhe qesharake, për të penguar zgjedhjet me dyer të mbyllura me çelësa marrëzie, bën mirë të lexojë Kodin Penal për krimet zgjedhore e të heqë dorë sa pa rënë në dorën e drejtësisë.

Askush tjetër përveç katër të marrëve që i udhëheqin, s’u ka faj kryebashkiakëve të opozitës për largimin nga gara zgjedhore, ndaj ata le të merren me hapjen e dyerve të partive përkatëse, jo të marrin në qafë veten e punonjësit e tyre, duke u kthyer në të pandehur për dyert e QV”, shkruan Rama.

Shkarkoni aplikacionin e A2