Shoqëruesi i Presidentit brazilian arrestohet me 39 kg kokainë

Policia spanjolle ka arrestuar një pjesëtar të forcave ajrore braziliane i cili duhet të shoqëronte Presidentin Jair Bolsonaro në Samitin e G20 në Japoni, pasi është kapur duke trafikuar 39 kilogramë kokainë.

Oficeri u arrestua të enjten në Sevilje, pasi lënda narkotike u gjet në bagazhet e tij. Detyra e tij ishte shoqërimi i Presidentit gjatë udhëtimit për në Brazil në përfundim të Samitit.

Në momentin e arrestimit Bolsonaro ishte duke udhëtuar me një avion tjetër. Përmes një postimi në Twitter, ai tha se i kishte kërkuar Ministrisë së Mbrojtjes së Brazilit që të bashkëpunonte me autoritetet spanjolle dhe nëse oficeri do të shpallej fajtor, të gjykohej dhe dënohej sipas ligjit.

Sipas mediave braziliane, i arrestuari kishte shoqëruar gjatë karrierës së tij tre presidentë brazilianë në 29 udhëtime.

Shkarkoni aplikacionin e A2