Trump propozon ambasadoren e re amerikane në Shqipëri

Presidenti Shteteve te Bashkuara, Donald Trump, i ka propozuar Senatit amerikan emrin e ambasadorit të ri në vendin tonë.

Ajo është Yuri Kim dhe pritet te pasoje Donald Lu në Tiranë, si ambasadore fuqiplotë e Uashingtonit. Zonja Yuri Kim është një diplomate karriere që ka mbajtur funksione të ndryshme dhe detyra të larta në shërbimin e jashtëm amerikan.

Në Departamentin e Shtetit ajo ka drejtuar zyrën e Evropës Jugore. Më herët ajo ka qenë drejtoreshë për qendrën e studimeve për diplomaci në DASH, si dhe shefe e kabinetit e zv.sekretarit të shtetit.

Ajo ka shërbyer gjithashtu si asistente speciale e ndihmës sekretarit të shtetit për Azinë Lindore dhe Paqësorin. Në këtë rol, ka qenë pjesë e delegacionit amerikan në bisedimet shumëpalëshe mbi programin nuklear të Koresë së Veriut.

 Yuri Kim ka shërbyer gjithashtu si konsull politik në ambasadën amerikane në Bagdad, të Afganistanit dhe më pas në atë në Ankara të Turqisë.

Ajo flet gjuhën koreane, kineze, japoneze si dhe turqisht. Prej muajsh, qe nga largimi i ambasadorit Donald Lu, ambasada amerikane në Tiranë është drejtuar nga e ngarkuara me punë, Leyla Moses Onesh.

Shkarkoni aplikacionin e A2