Avionët luftarakë amerikanë mbërrijnë në Katar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar në bazën e tyre ushtarake në Katar avionët më të mirë luftarakë që kanë në dispozicion, F-22, një lëvizje që bëhet për të “treguar muskujt” në Lindjen e Mesme, pas tensioneve në rritje me Iranin.

Një deklaratë e Komandës Qendrore të Forcave Ajrore shpjegon se avionët mbërritën të enjten në bazën “Al Udeid”. Edhe pse nuk jepet numri i avionëve të dërguar në Katar, mendohet se janë të paktën pesë. “Avionët janë vendosur në Katar për herë të parë, për të mbrojtur forcat dhe interesat amerikane”, thuhet në deklaratë.

Vendimi u mor vetëm pak javë pasi Irani rrëzoi një dron amerikan në ngushticën e Hormuzit. Irani pretendonte se droni ndodhej në hapësirën e vet ajrore, ndërsa Uashingtoni tha se ndodhej mbi ujëra ndërkombëtarë. Më pas Presidenti amerikan, Donald Trump, vendosi të ekzekutonte një sulm kundër Iranit, por u tërhoq në sekondat e fundit pasi, siç tha ai, mësoi se do të humbnin jetën rreth 150 vetë.

Shkarkoni aplikacionin e A2