Plazhet pa roje bregdetare, Klosi: Penalitete bashkive dhe operatorëve privatë

Sezoni turistik në Shqipëri nis me probleme. Bashkitë janë fokusuar tek zgjedhjet dhe nuk kanë marrë masa për sigurinë e pushuesve në plazhe. Gjatë një vëzhgimi të bërë në plazhin e Durrësit dhe Malit të Robit, mungonin rojet bregdetare. Kullat e vrojtimit janë kthyer në vend lojërash për fëmijë, mundësi për fotografi e në disa raste kryejnë dhe funksionin e çadrave për ata që duan të gjejnë pak plazh publik.

Ministri i Turizmit, Blendi Klosi bën përgjegjëse bashkitë bregdetare, pa kursyer edhe Durrësin, nga ku bëri inspektimin dhe paralajmëroi sanksione.

“Do të kërkohet nga Inspektorati i Turizmit dhe nga Agjencia e Bregdetit që drejton Task Forcen penalizim nëpërmjet gjobave për operatorët turistikë dhe kërkesë bashkive që të zgjidhin kontratat dhe penalitet për ata që punojnë pa kontrata”, deklaroi ministri Klosi.

Ndryshe nga pritshmëritë edhe fushatat publicitare, numri i turistëve këtë fillim sezoni nuk është rritur dhe ministri Klosi ia faturon këtë situatës politike në vend.

Shkarkoni aplikacionin e A2