Samiti i G20, SHBA dhe Kina do të rinisin bisedimet tregtare – A2

Samiti i G20, SHBA dhe Kina do të rinisin bisedimet tregtare

Sinjale paqeje mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara. Në Osaka të Japonisë, ku po zhvillohet samiti i G20-tës, Presidentët Donald Trump dhe Xi Jingping ranë dakord të rinisin negociatat tregtare, pas luftës së tarifave që ka ndikuar në ngadalësimin e ekonomisë botërore.

 Kreu i Shtëpisë së Bardhë i cilësoi të shkëlqyera bisedimet me homologun. Trump ka kërcënuar të vendosë 300 mld dollarë tarifa shtesë ndaj importeve kineze, por pas takimit me Jinping në Osaka, ai konfirmoi se kjo nuk do të ndodhte.

“Pata një takim të shkëlqyer me presidentin kinez. Diskutuam për një sërë gjerash. U rikthyem në shina, dhe tani do të shohim se çfarë do të ndodhë”, deklaroi Trump.

Donald Trump dhe Xi Jinping

 Në një deklaratë, ministria e jashtme kineze tha se negociatorë nga të dyja palët do të diskutonin mbi detaje specifike, por nuk ofroi informacione të mëtejshme.

Trump njoftoi gjithashtu se kompanitë amerikane do të vazhdonin t’u shisnin produkte gjigandit kinez të teknologjisë, Huawei, të cilën Uashingtoni e ka ndaluar të operojë  në territorin  e vendit për shkak të shqetësimeve të sigurisë. Sipas Trump, çështja do të zgjidhej në fund të bisedimeve tregtare.  

Shkarkoni aplikacionin e A2