Sot heshtje zgjedhore, e diela e pazakontë, nuk ka garë mes PD dhe PS

Nga mesnata e së premtes ka hyrë në fuqi heshtja zgjedhore për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Gjatë ditës së sotme dhe asaj të nesërme, kur edhe votohet, subjekteve politike iu ndalohet nga Kodi Zgjedhor që të të bëjnë fushatë apo propagandë drejtuar zgjedhësve.

Kryeministri Edi Rama e mbajti takimin e fundit elektoral mbrëmë në Vlorë, duke i dhënë fund dhe një fushate të pazakonte, ku që pas 1991 opozita kryesore në vend nuk merr pjesë në zgjedhje.

Në zgjedhjet e së dielës, në 31 bashki të vendit, në fletën e votimit, do të ketë vetëm një kandidat, i cili është nga radhët e mazhorancës, në 30 të tjera gara më së shumti është me kandidatët e Bindjes Demokratike.

Opozita deklaron se nuk do të marrë pjesë në asnjë proces zgjedhor deri në largimin e kryeministrit Rama dhe dënimit të personave përgjegjës që sipas saj shkatërruan dhe vodhën zgjedhjet në Dibër dhe Durrës në 2016 dhe 2017.

Situata e pazakontë për këto zgjedhjeve lokale është edhe sepse ekziston dhe një tjetër datë për to, më 13 tetor. Në 10 qershor, presidenti Ilir Meta me anë të një dekreti anuloi 30 qershorin si datë për zgjedhjet lokale, në përpjekje për të ulur palët për zgjidhjen e krizës politike në vend. Dy ditë më parë, Kreu i Shtetit pas konsultave me drejtuesit e opozitës caktoi 13 tetorin si datën e re për zgjedhjet lokale.

Ndërkohë SHBA, BE  dhe OSBE përmes një qëndrimi zyrtar kanë bërë thirrje që të mos pengohet procesi i votimit më 30 qershor. Ra në sy në gjithë deklaratat e ndërkombëtarëve thirrja e posaçme për ngritjen shpejtë të Gjykatës Kushtetuese, ku palët të gjejnë përgjigje juridike për mosmarrëveshjet e tyre. Në unison apeluan ndaj opozitës që të mos ketë asnjë akt dhune të dielën, dhe autoritetet shtetërore të veprojnë në mënyrë proporcionale dhe sipas ligjit. Ambasada amerikane, gjermane dhe britanike kërkuan hetim serioz të akuzave për shit-blerje votash evidentuar në audiopërgjimet e publikuar së fundmi.

Shkarkoni aplikacionin e A2