Tension në Dibër, gazetari akuzon dhunën nga RENEA, Policia: Incident, shprehim keqardhje

Momente tensioni në Dibër, ku Enver Doçi, gazetar i News 24, ka akuzuar se forcat e rendit kanë ushtruar dhunë ndaj tij, duke e goditur me tytën e armës dhe duke i dëmtuar celularin.

Ngjarja sipas gazetarit ka ndodhur teksa ai po filmonte një person të arrestuar.

Policia e Shtetit ka shpërndarë një deklaratë duke e cilësuar ngjarjen një “incident” i krijuar nga “tensioni dhe pakujdesia e një punonjësi të Policisë”, që sipas deklaratës nuk kishte njohur gazetarin.  

Tensioni sipas Policisë buronte nga një operacioni i cilësuar si “kompleks”, ku forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin ndaluar një person me precedentë të shumëfishtë.

Në deklaratën e saj, Policia shprehu “ keqardhje”, duke i kërkuar ndjesë gazetarit. Nuk ka munguar reagimi i Presidencës, që përmes një deklarate ka “dënuar me forcë” gjestin, duke i uruar gazetarit shërim të plotë.

Presidenti, duke apeluar “zbardhjen e plotë” të ngjarjes, ka shtuar se “liria e medias është kusht i pazëvendësueshëm për garantimin e të drejtave të njeriut në një shoqëri demokratike”.

Shkarkoni aplikacionin e A2