Çfarë vëzhgoi ODIHR deri sot?! Diferenca e këtij viti me zgjedhjet vendore të 2015-s – A2

Çfarë vëzhgoi ODIHR deri sot?! Diferenca e këtij viti me zgjedhjet vendore të 2015-s

Shumçka ndryshon nga procesi i zgjedhjeve vendore të 2015 me këto që po mbahen këtë 30 qershor, por ai që nuk ka ndryshuar është syri i kryevëzhgueses se OSBE/ODIHR, Audry Glover dhe numri prej 250 vëzhguesish ditën e zgjedhjeve.

Në aspektin e vëzhgimit të procesit ndodhi një ndryshim javën e fundit të fushatës, kur kongresi i autoriteteve lokale dhe rojanale të Këshillit të Europës tërhoqi vëzhguesit. Si në 2015 ashtu edhe në 2019 ata konsiderohen si krahu i djathtë i ODUHR në vëzhgimin e procesit, por këtë vit ata u tërhoqën, sepse nuk kishin vëzhguar më parë një proces pa garë.

Këto janë zgjedhjet e dyta që bëhen me hartën e re territoriale e cila ka 61 bashki. Nga mbi 3 milion e 300 mijë votues në 2015,aktualisht kemi mbi 3 milion e 500, por nëse zgjedhësit janë shtuar, mundësia e tyre për të zgjedhur është kufizuar ndjeshëm.

Duke krahasuar shifrat e evidentuara në raportet e ndërmjetme: nëse në 2014-ën garonin 162 kandidatë për kryetarë bashkie, sot janë 97 kandidatë. Në 31 bashki në fletën e votimit fituesit dihet: është ai i Partisë Socialiste që nuk ka asnjë rival në fletën e votimit. Në 30 bashkitë tjera, kryesisht gara është me kandidatët e partisë sëre Bindja Demokratike.

Në këto kushte vjen si risi, por negative në raportin e ndërmjetëm të ODIHR evidentimi i mungesës së garës dhe theksimi se Kodi Zgjedhor nuk ka dispozitë që parashikon zgjedhje të tilla. ‘’Diskursi politik është dominuar përgjithësisht nga pyetja nëse mund të mbahen zgjedhje pa pjesëmarrjen e partive opozitare kryesore’’, thuhet në raport.

Para katër vitesh, fushata për zgjedhjet e 21 qershorit vlerësohej përgjithësisht paqësore, ndonëse e përqendruar në akuza personale, veçanërisht nga partitë kryesore. Si atëherë edhe kësaj here evidentohen akuzat e presionit mbi nëpunësit shtetërorë dhe shpërdorim të burimeve shtetërore.

Vazhdojnë të jenë të pa adresuara rekomandimet e OSBE/ODIHR, që prej 2013-ës, si shit-blerja e votës, presioni mbi administratën, fshehtësia e votimit, sigurimi i paanshmërisë së administratës zgjedhore etj. Nuk ka marrë zgjidhje me ligj as në 2015 e as në 2019 përcaktimet për një subjekt zgjedhor, mbledhja e firmave mbështetëse dhe kërkesat për verifikimin e regjistrimit të kandidatit, dorëheqjen e kandidatit për kryetar bashkie, afatet e paqëndrueshme për shqyrtimin e kërkesave ankimore dhe pamjaftueshmëria e rregullave të fushatës. Vendimmarrja e KQZ sipas linjave politike është e ngjashme si tani e si atëherë. Por raporti që i paraprin 30 qershorit 2019 ka një natyrë tjetër të debatit të theksuar politik dhe institucional, ndërsa vendi gjendet në një situatë të paprecedente: me opozitën jashtë zgjedhjeve dhe me një përplasje president- kryeministër, si dhe vënien në diskutim të dekreteve të kreut të shtetit për datën e zgjedhjeve në kontekstin e një krize te fortë politike.

Shkarkoni aplikacionin e A2