Një mandat me Reformën Administrative. Çfarë solli për qytetarët dhe politikën harta e re

Nëse sot kryefjala e politikës dhe ndërkombëtarëve janë zgjedhjet dhe drejtësia, katër vjet më parë ishte një tjetër reformë.

Ndarja e re administrative angazhoi qeverinë, asokohe kryeministrin Edi Rama dhe kryeparlamentarin Ilir Meta, që zgjedhjet e vitit 2015 të zhvilloheshin me hartën e re.

Miratimit të reformës i paraprinë një sërë aktivitetesh ku kreu i qeverisë rendiste problemet e shërbimeve dhe financave nga numri i madh i komunave dhe bashkive.

Opozita bojkotoi diskutimet dhe miratimin e reformës në Kuvend me argumentin se po bëhej një ndarje territoriale politike që favorizonte mazhorancën dhe jo në funksion të qytetarëve, ndërsa PS-LSI tërhoqën në mazhorancë PDIU-në, duke siguruar votat për miratimin e hartës së re territorriale me 61 bashki.

Por, çfarë ka sjellë për banorët këto katër vjet ndarja e re administrative? Drejtori i agjencisë për mbështetjen e vetëqeverisjes vendore, Bekim Murati, thotë se janë rritur të ardhurat e bashkive dhe shërbimet kanë shkuar më pranë qytetarëve.

Për një nga ekspertët e hartimit të reformës, Gert Shella, harta e re forcoi kryetarët politikë të bashkive, por jo shërbimet për komunitetin.

Me reformën administrative, bashkitë kanë edhe gjashtë kompetenca të shtuara. Por, për kritikët reforma duhet përmirësuar pasi pushtetet vendore janë politizuar.

Në çdo periudhë zgjedhjesh politika bën kalkulimet për votuesit të shpërndarë në 61 bashki, ndërsa banorët duhet të bëjnë analizën nëse shërbimet i kanë më mirë apo më keq pas reformës.

Shkarkoni aplikacionin e A2