Profesioni, kryebashkiak. Vendorët që “mbretërojnë” në pushtetin lokal – A2

Profesioni, kryebashkiak. Vendorët që “mbretërojnë” në pushtetin lokal

Në zgjedhjet vendore 2019, më shumë se gjysma e kandidatëve të Partisë Socialiste garon për herë të parë. Fytyra dhe emra të rinj bien në sy edhe në bashki të mëdha, duke larguar kështu nga “froni” personazhe si Qazim Sejdini në Elbasan apo Vangjush Dako në Durrës, që zotëronin territoret përkatëse prej 3 mandatesh.

Por, kryebashkiakët që e kanë kthyer në profesion drejtimin e punëve lokale nuk mungojnë as këtë herë. Adriatik Zotkaj kandidon në Poliçan për të fituar një mandat të pestë, ndërsa Gëzim Topçiu kërkon të “mbretërojë” në Maliq përmes një mandati të gjashtë. Në Konispol, Shuaip Beqiri kërkon një mandat të dytë, që kur u rikthye në krye të bashkisë në vitin 2015, ndonëse e kishte drejtuar atë për tre mandate radhazi nga viti 1996 deri më 2006. Bashkuar dy ciklet bashkë, në mungesë të një rivali më 30 qershor, ai pritet të drejtojë Konispolin për herë të pestë.

Në muajin shkurt, Partia Socialiste i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të sanksionojë pamundësinë e kandidatimit për kë kishte 3 mandate, bazuar në ligjin për pushtetin vendor të vitit 2015. Refuzimi erdhi nga demokratët, që theksuan se ligji nuk ka fuqi prapavepruese dhe limitimi i 3 mandateve duhej të niste nga viti 2015 e në vazhdim.

Në shkurt, demokratët ende nuk kishin shpallur mosfutjen në zgjedhje. Ata dyshonin se me këtë lëvizje PS po përpiqej t’i digjte Selisë Blu disa kandidatë të fortë, por socialistët mohonin.

Me votën kundër të kryetarit Klement Zguri, kërkesa e PS-së nuk u miratua. Nëse PD-ja do të futej në zgjedhje, ky vendim i KQZ-së do t’i hapte rrugën Xhelal Mziut të kërkonte një mandat të katërt në krye të Bashkisë së Kamzës, si dhe Fiqiri Ismailit një mandat të pestë në Vorë. 

Shkarkoni aplikacionin e A2