Shtyhet sfida për bastionet politike. PS-ja i merr të gjitha pa garë – A2

Shtyhet sfida për bastionet politike. PS-ja i merr të gjitha pa garë

Ndarja e re administrative që solli reforma territoriale e vitit 2015 është komentuar gjerësisht si një vijëzim që favorizonte më shumë të majtët, në krahasim me demokratët që e bojkotuan atë.

Bastionet e mëdha gjithsesi nuk ndryshuan katër vjet më parë: Shkodra, Lezha, Kukësi e Kamza qëndruan djathtas. Socialistët ruajtën territore të rëndësishme si Durrësi, Elbasani, Vlora e Fieri. Por, surprizat nuk munguan. Një prej tyre ishte Përmeti, ndër vite i drejtuar nga të majtët, në zgjedhjet vendore të 2015 fitoi kandidati demokrat. Incident u cilësua nga socialistët edhe fitorja e demokratëve në Pogradec.

Pavarësisht këtyre rezultateve, edhe demokratët lëshuan territore që ndër vite u kishin dhuruar jo pak fitore, si Puka dhe Dibra. Në zgjedhjet e vitit 2019 socialistët kishin oreks jo të vogël. Kryeministri Rama nuk e fshihte dëshirën për t’i marrë demokratëve disa bastione të hershme, si Bashkia e Kukësit, siç pohonte edhe vetë tetorin e kaluar, kur zhvilloi mbledhjen e qeverisë pikërisht në Kukës.

Pa rivalë përballë, sfida e bastioneve shtyhet për zgjedhjet e ardhshme, por mundësinë për të marrë çfarë del përpara askush nuk e mohon. “PS-ja do i marrë të gjitha, nga Shkodra në Skrapar”, thoshte kryeministri Edi Rama.

Edhe nëse zgjedhjet vendore përsëriten, drejtimi i bashkive të djathta, qoftë përkohësisht, do t’u japë avantazhin socialistëve të jenë të favorizuar në procesin e ardhshëm, kur kundërshtarët historikë të jenë rikthyer në fushën e betejës. 

Shkarkoni aplikacionin e A2