Zyrtarët e qeverisë pas votimit: Të reflektojmë pas 1 korrikut – A2

Zyrtarët e qeverisë pas votimit: Të reflektojmë pas 1 korrikut

Eksponentë të ndryshëm të qeverisë votuan gjatë ditës dhe theksuan rëndësinë e asaj që vjen pas këtyre zgjedhjeve lokale.

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi dhe ministrat Pandeli Majko e Sandër Lleshaj i kërkuan opozitës të reflektojë.

“Shpresoj që klasa politike, edhe ata që vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhje, të fillojnë nga 1 korriku të bëjnë analizën e tyre. Edhe mazhoranca nuk duhet ta quajë veten fituese, por të bëjë analizë”, tha Ruçi.

“Nga 1 korriku shpresoj që ne të gjithë të ulemi dhe të shikojmë për një mënyrë tjetër të vepruari përballë njëri-tjetrit”, deklaroi Majko.

Kur u pyet nëse një pjesëmarrje e ulët në votime do të cenonte besueshmërinë e zgjedhjeve, Majko u përgjigj: “Të presim. Nga informacionet që kam unë, pjesëmarrja që ka të bëjë me anën tonë është në kuota normale”.

Ndërsa ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj tha: “Sigurisht që mospjesëmarrja e opozitës na shqetëson, por opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të marrë pjesë. E rëndësishme është liria për të votuar dhe kjo është e garantuar”.

Shkarkoni aplikacionin e A2