Basha: Shqiptarët izoluan Ramën, e bënë t’i binin djersë të ftohta – A2

Basha: Shqiptarët izoluan Ramën, e bënë t’i binin djersë të ftohta

Në një deklaratën për mediat mbrëmjen e së hënës, kreu i PD, Lulzim Basha u shpreh se shqiptarët refuzuan Edi Ramën, duke mos marrë pjesë në votime. Ai theksoi se votimet ishin të paligjshme, ndërsa shtoi se PD doli më e fortë nga 30 qershori.

“Marrëzia e 30 qershorit tregoi se çfarë është i gatshëm të bëjë Edi Rama për të ruajtur pushtetin e tij. Ky regjim ka degraduar totalisht. 85% e shqiptarëve refuzuan Edi Ramën dhe regjimin e krimit. 85% e shqiptarëve dje thanë se duan ndryshimin. 85% e shqiptarëve treguan dje se duan ndryshimin që kurrë më krimi të mos diktojë politikën.

Dështoi plani I Edi Ramës për votime njëpartiake. Shqiptarët e izoluan dhe e bënë t’i binin djersë të ftohta. Votimet ishin të paligjshme. PD doli më e forta dhe më e bashkuar nga 30 qershori. Të gjithë bashkë si qytetarë jemi sot më të fortë se kurrë më parë”, tha Basha.

Më tej, Basha u shpreh se qëndrimi i opozitës mbetet i pandryshuar. “85% e shqiptarëve duan ndryshim dhe kjo është e vetmja vlerë e asaj që ndodhi dje, gjithçka tjetër është një farsë e paligjshme. Votimi i djeshëm nuk e zgjidhi, por e thelloi krizën. Dje u rikonfirmua se shkaktari i saj është Edi Rama. Beteja jonë vazhdon edhe më e fortë edhe më e vendosur. Qëndrimi ynë nuk ndryshon. 30 qershori tregoi se me Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Bashkë me të duhet të largohen edhe të gjithë politikanët e korruptuar dhe të dalin para drejtësisë”, tha Basha.

Shkarkoni aplikacionin e A2