BE: Zgjedhjet me ndarje politike, por të qeta, të nisë dialogu

“Zgjedhjet lokale të zhvilluara në Shqipëri të dielën më 30 qershor u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë e të rregullt. Ne morëm parasysh të gjitha vërejtjet paraprake të bëra nga Shefi i Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR. Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit”.

Kështu është shprehur në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Koçijançiç.

Ajo shton më tej se opozita dhe mazhoranca në Shqipëri duhet të angazhohen në dialog për të kapërcyer situatën politike.

“Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike. Të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit  të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”, mbylli deklaratën Maja Koçijançiç.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN