Koleksioni i makinave të politikanit ekstravagant do të nxirret në shitje

Një koleksion me makina super të shtrenjta, me vlerë 13 milionë dollarë, të cilat i janë sekuestruar zëvendës presidentit ekstravagant të Guinesë Ekuatoriale, do të shiten në ankand në Zvicër.

Autoritetet zvicerane i kanë sekuestruar të 11 makinat e Teodoro Nguema Obiang Mangue, djalit të liderit të vendit afrikan Teodoro Obiang Nguema Mbasogo, që në vitin 2016, si pjesë e një hetimi për pastrim parash.

Mes mjeteve që do të nxirën në shitje janë një Lamborghini Veneno e lyer me ngjyrat e flamurit italian – vetëm 1 nga 9 makina të tilla të prodhuara për 50-vjetorin e kompanisë – e cila kushton 4,5 milionë euro. Në shitje do të nxirret gjithashtu edhe një LaFerrari që kushton 2,5 milionë euro, ndërsa blerësit mund të marrin edhe një Koenigsegg One, me 1300 kuaj fuqi, një nga shtatë makina të prodhuara, e cila kushton 2 milionë euro.

Në koleksion përfshihen edhe një McLaren P1, një Aston Martin One-77 dhe një Bugatti Veyron. Asnjë prej makinave nuk ka përshkuar më shumë se disa mijëra kilometra.

Shitja, që organizohet nga shtëpia e ankandeve Bonhams në Londër, do të ndodhë në 29 shtator të këtij viti.

Shkarkoni aplikacionin e A2