Më shumë vota se sa votues, Glover: Shpresoj që autoritetet të merren me këtë

E pyetur nga A2 CNN mbi raportimet se në një pjesë të bashkive ka rezultuar se fituesit ka marrë më shumë vota se sa pjesëmarrës, ambasadorja Glover tha se misioni do të ishte shumë i interesuar të dinte më shumë mbi këtë. “Sapo e kemi marrë vesh këtë dhe po mbledhim informacion nga vëzhguesit. Shpresoj që autoritetet të jenë duke e parë këtë çështje, nëse kemi të bëjmë me mbushje fiktive të kutive”, tha ajo.

E pyetur gjithashtu nëse do të vinte në zgjedhjet e 13 tetorit, të caktuara nga dekreti i Presidentit Meta, Glover u përgjigj: “Do të doja shumë të vija, por nuk e kam unë në dorë. Duhet që ODIHR të marrë një ftesë dhe pasi të vlerësohet gjendja në vend, organizata vendos nëse duhet të ketë një mision dhe çfarëdolloj misioni do të jetë”.

Ambasadorja Glover tha se nuk është detyra e ODIHR të certifikojë zgjedhjet dhe të vendosë nëse rezultati do të ndihmojë në çeljen, apo jo, të negociatave me Bashkimin Europian. “Ka një sërë organesh që e bëjnë këtë, përfshi edhe gjykatat. Prandaj ne vetëm vëzhgojmë dhe qëndrojmë në heshtje deri sa të botohet raporti përfundimtar. Nuk na takon neve nëse rezultatet e zgjedhjeve do të kenë ndonjë pasojë mbi Shqipërinë dhe Bashkimin Europian. I takon BE-së të vendosë dhe jo neve”.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN