Problemet e 30 qershorit, kandidatët më shumë vota se pjesëmarrësit në votime – A2

Problemet e 30 qershorit, kandidatët më shumë vota se pjesëmarrësit në votime

Duhej të ishte numërimi më i thjeshtë dhe i pastër, ku socialistët rendisnin votat e veta, por rezultoi e kundërta. Në jo pak bashki, kandidatët rezultuan me më shumë vota në favor sesa vetë pjesëmarrja në votime, siç konstatuan gazetarët dhe të dërguarit e A2 CNN në zona të ndryshme të vendit.

Nga selia Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, A2 CNN konstatoi se kjo problematikë shfaqet në të paktën 10 bashki, ato të Malësisë së Madhe, Vaut të Dejës, Bulqizës, Vorës, Lushnjës, Divjakës, Urës Vajgurore, Memaliajt, Selenicës dhe Himarës.

Përballë akuzave se po manipulojnë procesin, socialistët mohojnë se i kalojnë topin Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Rezulton të jetë rezultati që unë ju parashtrova: 8026 votues dhe 7666 fleta të vlefshme. Ajo që unë di është ky dokument. Për të tjerat mund të pyesni KQZ. Në asnjë mënyrë nuk është shtuar asnjë votës shtesë”, u shpreh kandidatja socialiste për Bashkinë e Urës Vajgurore, Juliana Mema.

KQZ në Tiranë u mundua të minimizojë. “Ky është një fenomen i evidentuar në çdo proces zgjedhor, por këtë radhë po evidentohet më dukshëm. Kjo mund të zgjidhet nëse procesi mund të behet tërësisht përmes teknologjisë”, tha zëdhënësja Drilona Hoxhaj.

Kreu i KQZ-së Klement Zguri shpjegoi se problemi qëndron te praktika e ndjekur nga KQZ për mbledhjen e të dhënave me telefon dhe jo në rrugë zyrtare, diçka për të cilën ai kishte këshilluar të evitohej që në mbyllje të qendrave të votimit.

Zgjedhjet e kaluara, raportimi është bërë nga sistemi elektronik dhe të dhënat nuk janë transmetuar në telefon. Kjo mund të jetë tregues paaftësie, ose parregullsie. Se çfarë ka ndodhur në rastin konkret, kjo do të zbulohet me hetim administrativ”, tha Zguri.

Saktësia e shifrave në tabulate është vendimtare – tha Zguri – për cilësinë e procesit të 30 qershorit. Ai kërkoi që përveç investigimit mediatik, te aktivizohet procedura ne KQZ për verifikimin e të dhënave. 

Shkarkoni aplikacionin e A2