Çfarë është “Deep State”?

Sipas fjalorit të “Oxford”, “Deep state” do të thotë “një grup njerëzish, kryesisht pjesëtarë me ndikim brenda agjencive qeveritare dhe ushtrisë, që besohet se përfshihen në manipulim të fshehtë ose kontroll të politikave qeveritare”.

Po sipas fjalorit të “Oxford”, termi është një përkthim nga turqishtja i “derin devlet”, përdorur fillimisht në vitet 1990.

Megjithatë, sipas studiuesve të ndryshëm që kanë shkruar mbi këtë term, koncepti bazohet edhe më herët, në rrjetin sekret të ngritur nga Mustafa Kemal Atatürk në Turqinë e viteve 1920.

Një formë e “deep state”, ose “shtetit brenda shtetit” është konsideruar edhe Kisha në Europën e shekullit XVII dhe XVIII, kur diskutohej ndarja e Kishës nga shteti. Raste të “deep state” janë përshkruar shpesh nga historianët për persona dhe agjenci brenda Bashkimit Sovjetik dhe shteteve që u shkëputën nga Federata pas rënies së saj. Në Britaninë e Madhe, disa politikanë kanë përdorur termin për të përshkruar Shërbimin Civil.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, “Deep State” është një term i përdorur për të përshkruar përplasjet dhe nepotizmin që ekziston brenda një sistemi politike. Termi është përdorur edhe për të përshkruar “një shoqatë hibride të përbërë nga elementë të Qeverisë dhe pjesëtarë të nivelit më të lartë nga bota e industrisë dhe financave që arrijnë të drejtojnë Shtetet e Bashkuara pa u bazuar te vendimi që kanë marrë njerëzit për t’u qeverisur përmes sistemit të tyre politik”. Më së fundmi, pjesëtarë të administratës së Donald Trump kanë akuzuar CIA-n për përpjekje për të penguar Qeverinë në përmbushjen e synimeve politike.

Në Venezuelë, “Karteli i Diejve”, një organizatë e përbërë nga zyrtarë të lartë brenda qeverisë së vendit, është përshkruar shpesh si një prej rrjeteve që punojnë me metoda të fshehta për të mbajtur regjimin e Maduros në këmbë.

Në Italinë fqinje, rasti më i famshëm i asaj që mund të konsiderohet “deep state” është ai i “Propaganda Due”, një lozhë masonike e themeluar në vitin 1877. Në periudhën e drejtuar nga sipërmarrësi Licio Gelli, në vitet 1970 devijoi nga statutet e Masonerisë dhe ndërmori nisma subversive kundër qeverisë dhe rendit në Itali.

Shkarkoni aplikacionin e A2