Dekreti i Presidentit, Kume: OSBE-ja u shpreh jo në dakordësi me sjelljen e KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor

Kristaq Kume, ish-kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, deklaroi në “Ditari” në A2 CNN se të dielën u zhvillua thjesht një proces votimi dhe jo zgjedhje, pasi, sipas tij, “në shumicën e bashkive ka pasur vetëm një kandidat ose përfaqësues të partive shumë të vogla”.

“Procesi nuk mund të qortohet, por ky nuk është tregues për të vlerësuar atë që është marrë nga ky proces”, theksoi Kume, i cili vuri theksin te fakti që OSBE “vuri në dukje edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e vetmja që mund të trajtonte dekretin e Presidentit”.

“OSBE-ODIHR ka evidentuar se ishte një proces zgjedhor jotipik për një vend demokratik. U mbajtën zgjedhje pa marrë shumë në konsideratë interesin e elektoratit, tha OSBE-ja. Ishte deklaratë shumë e fortë. Vuri në dukje edhe mungesën e Gjykatës Kushtetuese, e vetmja që mund të trajtonte dekretin e Presidentit. Pra, u shpreh jo në dakordësi me KQZ-në dhe Kolegjin Zgjedhor”, deklaroi Kume.

“Klasa politike duhet ta kuptojë mirë se në çfarë situate e ka sjellë vendin dhe të gjejë vullnetin që të ulen në tavolinë dhe së bashku me të gjithë aktorët politikë dhe jopolitikë të bëjnë reformën e thellë legjislative, që duhet të ketë objektiv kryesor realizimin praktik të parimit të demokracisë përfaqësuese dhe të drejtpërdrejtë”, shtoi Kristaq Kume.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN