Komiteti i Helsinkit: Situata e tensionuar ndikoi në humbjen e besimit për të ushtruar të drejtën e votës

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, dy ditë pas zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, prezantoi gjetjet paraprake të bazuara mbi monitorimet e organizatës në terren, ku 115 vëzhgues të organizatës monitoruan situatën në qytetet kryesore të vendit.

Në gjetjet paraprake të KshH, ishte mos përmbushja e rekomandimeve të OSBE-ODIHR për depolitizimin e organeve të administrimit te zgjedhjeve si dhe intimidimi i votuesve nga persona brenda dhe jashtë qendrave të votimit.

Edhe pse qendrat e monitoruar, siç pohoi vetë drejtoresha ekzekutive Erida Skëndaj, janë vetëm 182, pra 3.4 %, Komiteti i Helsinkit vrojtoi se fushata zgjedhore u krye në një fushatë “tepër të polarizuar politikisht, dhe në disa raste u shoqërua me episode të dhunshme që cenuan rregullin dhe krijuan pengesa në administrimin e procesit zgjedhor”, që ndikuan në një situatë të tensionuar.

Vëzhguesit kanë vërejtur gjatë ditës së votimit “prezencën e njerëzve të paautorizuar në ambientet e brendshme të qendrave të votimit, si dhe një mungesë trajnimi” në disa raste,  që ka ndikuar në shkeljen e fshehtësisë të votës dhe lejimin e votimit familjar.

KShH vlerësoi se intimidimet, retorikat joetike dhe akuzat e ndërsjella “kanë ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve për të ushtruar të drejtën kushtetuese të votës”.

Shkarkoni aplikacionin e A2