Procedurat për shkarkimin e Metës, seancë e posaçme në Parlament

Mazhoranca ka vendosur të thërrasë një seancë të posaçme plenare ditën e hënën, me 8 korrik, për të debatuar dhe më pas për të votuar mbi ngritjen e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta.

Gjatë seancës do të paraqitet raporti i hartuar nga Komisioni i Ligjeve, i cili edhe do të hidhet në votë. Fillimisht ishte menduar se vazhdimi i kësaj procedure për shkarkimin e Presidentit të Republikës do të përfshihej në rendin e ditës të seancës së programuar për këtë të enjte.

 Por A2CNN mësoi se socialistët kanë preferuar që t’i dedikojnë shkarkimit të Metës me shumë vëmendje, duke i kushtuar një seance të posaçme ditën e hënë.

Procedura parlamentare i njeh Presidentit të drejtën për t’u paraqitur në seancë e për t’u dëgjuar nga Parlamenti, por Meta nuk u ushtroi këtë të drejtë as para Komisionit të Ligjeve, të cilit iu drejtua vetëm përmes një shkrese, ku e quante anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit si një akt të mbështetur në Kushtetutë.

Parlamenti nisi seancën për shkarkimin e Presidentit pas miratimit me 100 vota pro dhe 7 kundër një rezolute ku theksohej se Kreu i Shtetit kishte kryer shkelje të rënda kushtetuese.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN