Rezultati i 30 qershorit, PS merr 60 bashki, fenomen votat e pavlefshme – A2

Rezultati i 30 qershorit, PS merr 60 bashki, fenomen votat e pavlefshme

Zgjedhjet e 30 qershorit i dhanë Aleancës për Shqipërinë Europiane, të kryesuar nga Partia Socialiste, drejtimin e plot 60 bashkive të vendit.

I vetmi përjashtim gjendet në jug, ku kryetari i Finiqit do të jetë nga minoriteti grek. Kandidati i MEGA-s, Kristo Kiço, i mbështetur edhe nga socialistët, fitoi me mbi 60% të votave ndaj kryebashkiakut aktual, Leonidha Hristo, që garoi si i pavarur, pasi ndryshe nga sa bëri në 2015-ën, PS vendosi të mos e mbështeste më.

Në Tiranë, kryebashkiaku Erion Veliaj mori një tjetër mandat me 94.21% të preferencave, kundër 5.79% të kandidatit Arben Skënderaj të Bindjes Demokratike. Çfarë bie në sy në kryeqytet, është se këtë herë Veliaj ka marrë 8000 vota më pak se në vitin 2015, kur kishte edhe mbështetjen e dy aleatëve të rëndësishëm si LSI dhe PDIU.

Numërimi në gjysmën e bashkive të vendit u krye vetëm për procedurë, pasi kandidatët e Partisë Socialiste nuk kishin rivalë përballë dhe ishin fitues që në hapje të kutive të votimit. Karakteristikë e këtij procesi ishte përqindja mjaft e lartë e votave të pavlefshme. Në vitin 2017 rezultuan 31 mijë vota të pavlefshme në të gjithë vendin, ndërsa këtë vit u gjendën 13 mijë të tilla vetëm në Tiranë, ose 7% të pjesëmarrjes në këtë bashki. Akoma më i theksuar ishte fenomeni në bashki të tjera si Lezha, ku votat e pavlefshme rezultuan rreth 9%,në Kukës 8%, në Përmet 11%, ndërsa në Durrës të pavlefshme rezultuan 7.5% të votave.

Reporterët e A2CNN që ndoqën procesin e numërimit mundën të konstatonin se shpesh kjo pavlefshmëri vinte pasi në fletët e votimit ishte vënë kryq te të dy emrat e kandidatëve. 

Shkarkoni aplikacionin e A2