4 korriku i Trump, tanke dhe avionë luftarakë në Uashington – A2

4 korriku i Trump, tanke dhe avionë luftarakë në Uashington

Fishekzjarret ikonike në Parkun Kombëtar do të zhvendosen në një lokacion të ri. Të gjitha fluturimet do të ndalohen në Aeroportin “Reagan” të Uashingtonit për më shumë se dy orë. Për sigurinë, do të vendosen tre herë më shumë gardistë se më parë.

Të gjitha këto, vetëm që presidentin Donald Trump të jetë në qendër të vëmendjes për festimet e 4 korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara. Ai do të mbajë një fjalim të paprecedentë në Memorialin Lincoln.

“Ne do të kemi një 4 korrik të shkëlqyer në Uashington. Do të jetë si asnjëherë tjetër më parë”, u shpreh presidenti Trump.

Pavarësisht shpenzimeve marramendëse, nuk është pikërisht ajo që Trump dëshironte, një paradë ushtarake siç mbahen në Francë, Rusi dhe Korenë e Veriut. Shpenzimet vlerësohen disa dhjetëra milionë dollarë. Këshilli i qytetit të Uashingtonit proteston për dëmtimin e rrugëve nga tanket, ndërsa shërbimi i Parkut Kombëtar hesht për koston e masave shtesë. Nga ana tjetër, Pentagoni nuk diskuton shpenzimet për ngritjen në ajër të disa avionëve luftarakë. Disa tanke dhe ushtarë do të jenë prezentë, por vetëm në një pjesë të parkut.

“Ne dëshirojmë që të sjellim miliona persona në qytet dhe kërkojmë që ata që do vinë të duan vendin tonë. Ata janë njerëzit që kërkojmë”, shtoi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Presidenti amerikan tha se Pentagoni dhe liderët ushtarakë janë të lumtur që do të qëndrojnë përkrah tij gjatë festimeve. Megjithatë Pentagoni nuk ka njoftuar se kush do të jetë prezent. Eventi ka ngjallur mjaft polemika pasi është një festë jopartiake, por që është personalizuar nga ekipi Trump, Shtëpia e Bardhë dhe Komiteti Republikan po shpërndajnë ftesa VIP për miqtë dhe kolegët. Demokratët akuzojnë se po lihen jashtë këtij eventi, por Shtëpia e Bardhë u përgjigj duke thënë se ky është një event i hapur për publikun. 

Shkarkoni aplikacionin e A2