Dita kthehet në natë, eklipsi i rrallë diellor

Për pak kohë dita kthehet në natë në Kili dhe në Argjentinë, teksa miliona persona bëhen dëshmitarë të momentit kur hëna bllokon diellin në një eklips të rrallë diellor.

Ngjarja ndodhi në orën 15:22 me atë lokale në La Serena dhe arriti kulmin në orën 14:38 minuta, por eklipsi total zgjati vetëm 2 minuta e gjysmë, duke e zhytur rajonin thuajse në një errësirë të plotë në mes të ditës.

La Serena, një qytet në veri të Kilit, me rreth 200 mijë banorë, u “pushtua” nga gati 300 mijë turistë, të cilët detyruan autoritetet vendase të siguronin ujë, por edhe të rrisnin shërbimin me karburant për t’i ardhur në ndihmë turistëve.

“Unë erdha në La Serena për të parë eklipsin total me një mik pasi na e kishin sugjeruar”, tha Stephanie Bouckurt nga Shtetet e Bashkuara. “Më thanë se asgjë nuk krahasohet me një eklips diellor, prandaj jemi këtu. Jemi të mrekulluar. Ishte i jashtëzakonshëm”.

Veriu i Kilit është i njohur për qiej të pastër dhe disa nga teleskopët më të mëdhenj dhe më të fuqishëm në Tokë po ndërtohen në këtë zonë, duke e kthyer vendin e Amerikës Jugore në një qendër globale të astronomisë.

Eklipset totale janë relativisht të rralla. Në 2017, miliona njerëz në Shtetet e Bashkuara dëshmuan fenomenin, me një eklips të plotë diellor të dukshëm në 14 shtete dhe një eklips të pjesshëm thuajse në gati të gjithë vendin.

Çfarë është eklipsi i diellit?

Një eklips i diellit ndodh kur hëna vjen midis diellit dhe tokës. Për të pasur një mbivendosje të përsosur, duhet që madhësitë e dukshme të diellit dhe të hënës të jenë afërsisht njësoj, në mënyrë që hëna ta mbulojë gati plotësisht diellin. E tamam kështu ndodh! Ndonëse dielli e ka diametrin 400 herë më të madh se hëna, ai, gjithashtu, është afro 400 herë më larg tokës sesa hëna. Eklipset e Diellit ndodhin në fazën e Hënës së re, nuk ndodhin çdo muaj, por eklipsi mund të paraqitet vetëm kur Hëna e re gjendet afër ekliptikës që do të thotë afër nyjave të rrugës së Hënës. Gjatë një viti rregullisht kemi nga 2 zënie të Diellit, mund të kemi 3 dhe 4, por, në qoftë se zënia e parë ndodh në fillim të janarit, atëherë mund të kemi 5 zënie. Nga pikat e ndryshme të sipërfaqes së Tokës eklipsi i Diellit shihet ndryshe dhe nuk fillon në të njëjtën kohë.

Shkarkoni aplikacionin e A2