Kryebashkiakët e djathtë: Nuk lirojmë zyrat

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është takuar me drejtuesit e Bashkive të djathta për të dytën ditë rresht pas zgjedhjeve të 30 qershorit.

Agron Kapllanaj, kryetari i bashkisë së Mallakastrës, u shpreh pas takimit me Bashën, se nuk do ta lëshojë zyrën e tij deri sa të ketë zgjedhje dhe jo votime.

“Ka shumë probleme të tjera që kemi diskutuar dhe jo vetëm për të liruar zyrat apo jo. Ne hap pas hapi po bëjmë të gjitha denoncimet tona, të gjitha provat që kemi grumbulluar. Kemi monitoruar votime të një procesi farsë. Ne do ta lirojmë zyrën kur të vijë pasardhësi jonë i zgjedhur sipas ligjit dhe i konfirmuar nga të gjitha institucionet. Pra, kur të ketë zgjedhje dhe jo votime. Ky është vendim i marrë nga e gjithë opozita. Ky është një vendim që ne e kemi shprehur disa herë që këto zgjedhje ishin farsë dhe ne nuk i njohim. Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë në detyrën tonë për sa kohë të bëhen zgjedhje të rregullta. Zyrën nuk e mbajmë me dhunë, por do t’iu shërbejmë qytetarëve”, tha Kapllanaj.

Në të njëjtën linjë me të ishte edhe kreu i bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu. “Vendimi është marrë që në datë 30 që zgjedhjet ishin të paligjshme dhe këtë e tregoi pjesëmarrja. Për këtë vendim nuk ka lidhje Lulzim Basha, pasi ne interpretojmë ligjin dhe kemi lexuar votat popullore”, tha Mziu.  

Shkarkoni aplikacionin e A2