Kushi: Ekonomia u lëkund nga protestat, por s’ka krizë. Dilaveri: Në rënie – A2

Kushi: Ekonomia u lëkund nga protestat, por s’ka krizë. Dilaveri: Në rënie

Pak orë më parë, guvernatori i bankës së Shqipërisë, Gent Sejko pohoi atë që me frikë e kanë konstatuar deri më tani të gjithë ekspertët: kriza politike po përkeqëson klimën e biznesit dhe po dëmton ekonominë.

Pas zgjedhjeve të 30 qershorit, qeverisë do t’i duhet që të merret seriozisht me ekonominë. Shumë tregues janë përkeqësuar dhe ata nuk kanë lidhje vetëm me perceptimin apo besimin, edhe pse ky i fundit është thelbësor. Kanë të bëjnë me punën e administratës, performancën në mbledhjen e taksave dhe në shërbimin e biznesit dhe qytetarëve.

Si do të jetë ekonomia jonë pas 1 korrikut? Teksa kriza politike duket se merr përmasa të reja çdo ditë.

Për të diskutuar në lidhje me këtë temë ishin të ftuar në A2 Business Ëeek Flobenc Dilaveri, ish-zv/drejtor i përgjithshëm i Tatimeve dhe Evis Kushi, deputete e Partisë Socialiste.

Deputetja Kushi u shpreh se lëkundja në ekonomi ka nisur që me nisjen e protestave nga opozita, por nga ana tjetër shprehet se duke iu referuar shifrave, kriza nuk ka filluar. Sipas Kushit, nëse kriza politikë do të vijojë problemet do të duken edhe në ekonomi.

“Nga njëra anë kemi krizën politike e nga ana tjetër fushatën zgjedhore. Edhe fushata zgjedhore jep ndikim te ekonomia. Edhe në Amerikë, gjatë fushatave zgjedhore ka ndikim. Në Shqipëri situata ishte shumë specifike sepse kjo fushatë u karakterizua nga problematika. Kjo nisi që me daljen e opozitës nga Parlamenti dhe protestat e dhunshme. Unë mendoj që aty ka nisur lëkundja apo tronditja. Protestat e dhunshme ndikojnë te klima e biznesit, te investimet e huaja, te turizmi. Por po t’i referohemi shifrave zyrtare, kriza nuk ka filluar. Unë besoj se ekonomia është në ritme sipas parashikimeve dhe deri në fund të vitit do të realizojmë parashikimet. Nëse kriza vazhdon, atëherë mund të ketë probleme”, tha deputetja Kushi.

“Por për ish zv/drejtorin e përgjithshëm të Tatimeve, ekonomia në vend është në rënie. Madje ai bën edhe ironi me shifrat e bëra publike. “Unë jam pesimist dhe për këtë kamë bazë reale. Për t’iu referuar deklarimeve të fundit, pamë se turizmi ka rritje, importi deklarohet me rritje në dogana, ndërtimet janë në bum, por si ka mundësi që ekonomia nuk performon dhe këtu ka diçka që nuk shkon. Ka dy arsye, ose këto që tha zonja nuk qëndrojnë, por patjetër që politika ka ndikim, ose deklarimet që bëhen për rritje janë thjesht pa argument ekonomik. Ne themi se ka rritje, por ndërkohë nuk janë rritur të ardhurat. Kemi nonsense logjike. Ekonomia është padyshim në rënie. Doja të godisja ironikisht të dhënat që vijnë për rritje. Kemi rritje të turizmit, por ku janë të ardhurat?”, u shpreh Dilaveri.

Shkarkoni aplikacionin e A2