Meta kritika EURALIUS: Mangësitë e reformës edhe përgjegjësi e misionit

Presidenti i Republikës iu drejtua me një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor, duke i kërkuar shpjegime shteruese se përse nuk po plotësohet Gjykata e Lartë, institucion që aktualisht ka vetëm 2 anëtarë, duke dale praktikisht jashtë funksionit.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, duhet t’i propozojë Presidentit kandidatët për Gjykatën e Lartë, por që prej konstituimit të tij në 20 dhjetor, Kreu i Shtetit nuk ka marrë propozime. Madje, nënvizon Meta, edhe kur ka kërkuar informacion mbi arsyet e vonesës, nuk ka marrë përgjigje.

“Rezulton se KLGJ-ja ka tejkaluar afatin fillestar 3-mujor të përcaktuar nga neni 174/1, shkronja “a” e ligjit nr. 96/2016, edhe me më shumë se 3-muaj të tjerë, periudhë brenda të cilës këshilli duhej të kishte miratuar të gjitha aktet e nevojshme nënligjore për të nisur procedurat e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë sipas Kushtetutës dhe ligjit”

Presidenti Ilir Meta

Institucioni i Presidentit zbulon se KLGJ i është drejtuar EURALIUS për të propozuar një mekanizëm zhbllokues për Gjykatën e Lartë. EURALIUS i sugjeron KLGJ të përdorë skemën e delegimit dhe caktimin e gjyqtarëve të përkohshëm në Gjykatën e Lartë. Çka do të thotë transferimin e gjyqtarëve të gjykatave më të ulëta, tek e Larta. Propozim që Presidenti Meta nuk e konsideron aspak logjik.  

“Ky rekomandim i propozuar, cenon kompetencat kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe bën të mundur që Gjykata e Lartë të funksionojë me gjyqtarë të përkohshëm, të cilët do të ushtrojnë funksionet në gjykatën më të lartë të vendit, pa kaluar më parë procesin e rivlerësimit kalimtar, duke cenuar besimin tek reforma në drejtësi e miratuar 3-vjet më parë”.

Presidenti Ilir Meta

Kreu i shtetit shfaqet mjaft kritik mbi rolin e EURALIUS që asistoi realizimin e reformës në drejtësi në Shqipëri. Duhet të kujtojmë që misioni “EURALIUS V”, ka dhënë ekspertizën e tij në kuadër të hartimit dhe miratimit të paketës ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, dhe nëse kjo paketë ligjore paraqet mangësi, një pjesë të kësaj kostoje është përgjegjësi edhe e këtij misioni, i cili ka asistuar Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës në Sistemin e Drejtësisë dhe Kuvendin e Shqipërisë në miratimin e ligjeve shoqëruese.  

Presidenti Meta propozon se nëse ka mangësi në ligjin aktual, atëherë duhet të pranohet nga EURALIUS dhe të ndërhyhet nga Kuvendi, duke propozuar kështu rishikimin e paketës së reformës në drejtësi. 

“Kuvendi ka të gjitha mundësitë dhe njëkohësisht detyrimin që të përmirësojë kuadrin ligjor ekzistues për t’i dhënë zgjidhje qoftë emergjencës së krijuar për formimin e trupave gjyqësore, ashtu dhe krijimit të mekanizmit të përshtatshëm kushtetues apo ligjor që do të bëjë të mundur zgjidhjen e problematikës për shqyrtimin brenda një afati të arsyeshëm të 32 000 çështjeve të mbartura, që presin për t’u shqyrtuar në Gjykatën e Lartë”.

Presidenti Ilir Meta

Ilir Meta mbyll letrën duket kërkuar përgjigje shteruese nga KLGJ për të gjitha problematikat e nënvizuara.

Shkarkoni aplikacionin e A2