PD nënshkruan një kontratë të re lobimi në SHBA

Partia Demokratike ka firmosur një kontratë të re lobimi me “Sonoran Policy Group”, e cila synon të ndërtojë një strategji në luftën kundër drogës dhe krimit të organizuar për opozitën shqiptare.

Kontrata e Partisë Demokratike dhe “Sonoran Policy Group” kap një vlerë 10 mijë USD në muaj për një total prej 40 mijë USD dollarë.

“Konsulenti do të bashkëpunojë me opozitën shqiptare për krijimin e një strategjie të re në luftën kundër narkotikëve dhe krimit të organizuar, do të mundësojë takime dhe ndërveprime me zyrtarë të administratës amerikane dhe do të kërkojë angazhimin e Kongresit dhe qeverisë për çështjet ekonomike, të promovimit të sipërmarrjes së lirë si dhe të punojë me agjenci vendase dhe ndërkombëtare për të kufizuar dhe luftuar epideminë e krimit të organizuar. Si dhe do të kryejë detyra shtesë për të cilat palët do të bien dakord paraprakisht.”

Pjese nga kontrata e re e lobimit të PD

Lajmi konfirmohet për A2CNN edhe nga sekretari i PD, Gazment Bardhi që ka firmosur kontratën.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ish sekretari Ristani dhe financieri i PD, Dervishi aktualisht janë marrë si të pandehur nga Prokuroria për çështjen e lobimit në SHBA nga një kompani ruse.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN