Sondazh: Destinacionet e fundjavave tuaja janë:
  • Bregdeti 50%
  • Zonat malore 33%
  • Qendrat historike 17%

Soreca, apel për dialog; Meta "ngacmon" me pyetje

Nga A2 CNN
3 Korrik 2019, 14:09 | Politikë
Soreca, apel për dialog; Meta "ngacmon" me pyetje

Dialog për të kapërcyer krizën dhe vazhdimin e reformave, është kërkesa që Luigi Soreca e shtron me urgjencë për klasën politike. Përmes disa postimeve në Twitter, ambasadori i Bashkimit Europian thekson gjithashtu se reforma në drejtësi është pa kthim.

“Është koha që qeveria shqiptare, opozita dhe institucionet të tregojnë pjekuri dhe të angazhohen urgjentisht në dialog për të kapërcyer situatën politike aktuale. Është gjithashtu koha të ecet përpara me reformat e sundimit të ligjit. Zbatimi i reformës në drejtësi vazhdon dhe është i pakthyeshëm. Fokusi tani është krijimi i SPAK dhe rikthimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese. Sapo të përfundojë procesi rigoroz i rivlerësimit të kandidatëve, SPAK do t'i mundësojë Shqipërisë të rrisë më tej luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ndërsa Gjykata do të qartësojë të gjitha çështjet e pazgjidhura në lidhje më të drejtat kushtetuese, përfshi çështjet zgjedhore”, shkruan Soreca. 

Ambasadori Soreca kërkon që lufta ndaj korrupsionit të thellohet, si dhe të hetohen krimet zgjedhore dhe blerja e votes: “Prokuroria duhet të hetojë çdo formë të dyshuar të korrupsionit, përfshi shkeljet zgjedhore dhe blerjen e votave, në zbatim të ligjeve në fuqi. Për të konfirmuar që cikli i drejtësisë penale punon efektivisht është gjithashtu e rëndësishme që gjykatat të japin dënime përfundimtare mbi akuza të pazgjidhura për çështje serioze të krimit të organizuar. Gjithashtu, duhet të rinisë me shpejtësi puna ndërpartiake për Reformën Zgjedhore”. 

Fjalët e përfaqësuesit të Brukselit ngacmuan Presidentin Ilir Meta, që tha se përshendet nxehtësisht thirrjet e ambasadorit Soreca për dialog, duke i komentuar ato si të sinqerta. A ishte ironik Presidenti, kuptohet nga disa pyetje që ai i drejton direct ambasadorit.

“A ishit ju realisht për nxitjen e dialogut mes palëve më parë, z. Ambasador? A morët ju ndonjë nismë konkrete për vendosjen e këtij dialogu mes palëve? A i kërkuat ju mbështetjen Presidentit për dialog, me qëllim që t’ia kursenim shfaqjen e shëmtuar të 30 qershorit Shqipërisë dhe së ardhmes së saj europiane? A e dini ju që Presidenti mori një nismë për anulimin e zgjedhjeve me qëllim vendosjen e dialogut mes palëve? Përse nuk e mbështetët ju Presidentin në këtë inisiativë publikisht? A e dini ju që Presidenti i Republikës ka dekretuar datën 13 tetor 2019, për zhvillimin e zgjedhjeve lokale gjithëpërfshirëse? Çfarë qëndrimi keni ju?”, shkroi Meta në Facebook.  

Mes të tjerash, Meta i rikujton ambasadorit Soreca edhe qëndrimin e deputetëve gjermanë të CDU/CSU, Wadephul dhe Schmidt, ndërsa thekson se një nga vërejtjet e Presidentit për Delegacionin e BE në Tiranë, gjatë këtyre viteve, ka qenë se nuk ka bërë përpjekjet më të mira për të nxitur dialog real mes palëve. 

A2 CNN Livestream

Dita jonë