Shkarkimi i Presidentit, Balla: Vijon procedura, Meta duhet të largohet – A2

Shkarkimi i Presidentit, Balla: Vijon procedura, Meta duhet të largohet

Socialistët nuk i ndahen Ilir Metës. Në mbledhjen e konferencës se kryetarëve, ata vendosën t’i kalojnë seancës së të hënës për debat e miratim ngritjen e komisionit hetimor për shkelje të rëndë të Kushtetutës nga ana e Presidentit Meta, me zhdekretimin e 30 qershorit. 

“Me miratimin e raportit, ngrihet edhe komisioni hetimor për evidentimin e shkeljeve nga ana e Presidentit të Republikës dhe më pas komisioni paraqit raportin përfundimtar në Kuvend, i cili në rast se merr 94 vota, miraton shkarkimin e presidentit dhe certifikimin e procesit e bën Gjykata Kushtetuese”, tha Balla.

Por nuk mendojnë kështu opozitarët e rinj. Kryetarja e grupit demokrat Rudina Hajdari tha se nuk ndan të njëjtin mendim me mazhorancën, për sa kohë cilido të jetë vendimi final në Parlament, do të mbetet peng i Gjykatës Kushtetuese.

“Unë propozova shtyrjen e ngritjes së komisionit, pasi duke qenë se nuk kemi Gjykatën Kushtetuese, mendoj se nuk është koha e duhur e duhur”, tha Rudina Hajdari.

Komisioni kundër Metës pritet t’i besohet Ulsi Manjës, njëherazi kryetar i Komisionit të Ligjeve. Komisioni do të përbehet nga nëntë anëtarë, 5 nga mazhoranca dhe 4 nga opozita. Asnjë prej tyre nuk duhet të ketë hedhur firmën në letrën me 55 firma për shkarkimin e Presidentit. E përpos vendosmërisë, duket se është ende herët të flasësh me emra kandidatësh për pasuesin e mundshëm të Ilir Metës.

Shkarkoni aplikacionin e A2