Sulm ajror ndaj emigrantëve, tragjedi në Libi, 40 të vdekur dhe 80 të plagosur

Tragjedi në Libi. Një sulm ajror vrau 40 emigrantë në një qendër strehimi në Tripoli. Konfirmimi vjen nga qeveria e Libisë që saktëson se nga ngjarja tragjike mbetën të plagosur 80 persona të tjerë.

 Për bombardimet ajrore, forcat anti-qeveritare të drejtuara nga gjenerali Khalifa Haftar, dhe ato pro-qeveritare shkëmbyen akuza të ndërsjella. Shumica e viktimave besohet të jenë afrikanë, të cilët dëshironin të arrinin në Europë përmes kalimit klandestin nga Libia.

 “Ne kërkojmë që Kombet e Bashkuara të ndihmojë njerëzit të largohen nga ky vend pasi është shumë i rrezikshëm. Ne nuk kemi fuqi të bëjmë diçka. Ka shumë persona që kanë ngecur këtu dhe ata nuk dinë çfarë të bëjnë apo ku të shkojnë”, thotë Othman Musa, një emigrant nga Nigeria.  

Mijëra emigrantë janë ndaluar në Libi dhe mbahen në qendrat e strehimit të qeverisë. Kushtet, në të cilat jetojnë emigrantët atje, janë konsideruar shpeshherë si çnjerëzore nga OKB dhe organizata të tjera humanitare. Libia është përfshirë nga dhuna dhe përçarja që prej rrëzimit dhe vrasjes së Muammar Gaddafi-t në vitin 2011.

Shkarkoni aplikacionin e A2