Tabaku: KQZ ka kryer një krim zgjedhor – A2

Tabaku: KQZ ka kryer një krim zgjedhor

Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar në “Ditari” në A2 CNN se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) “ka kryer një krim zgjedhor dhe ka manipuluar rezultatin”.

“KQZ ka kryer një krim zgjedhor dhe ka manipuluar rezultatin zgjedhor. Të kenë kujdes për çdo gjë që thonë. Thanë që pjesëmarrja ishte 21% në darkë, ndërkohë që ishte 18%. Në mëngjes thanë që ishte 24%. Sot doli që ishte 22,9%. Hera e parë që ndodh kjo. Ata kanë vendosur një shifër apriori 23-24%. Kjo tregon sot fytyrën e vërtetë që ka qeverisja dhe shteti”, deklaroi Tabaku.

Ish-deputetja shtoi se “raporti i OSBE-së i dha të drejtë qëndrimeve të opozitës për vendimet e KQZ-së” dhe nënvizoi se në 30 Qershor “votoi administrata dhe disa militantë të PS-së”.

Në lidhje me atë që do të bëjë opozita në vijim, Tabaku tha: “Aksioni që ka nisur me djegien e mandateve do të vazhdojë dhe nuk do të ndalet. Sa më shumë pushtet akumulon Rama, aq më shumë pushteti të korrupton dhe të bën të jesh arrogant. Ka nisur rënia. Sfida e radhës e jona është të vazhdojmë atë që kemi nisur”.

Shkarkoni aplikacionin e A2