Basha: Nuk ka pushim për ne, por as për kundërshtarët – A2

Basha: Nuk ka pushim për ne, por as për kundërshtarët

Partia Demokratike ka caktuar datën 8 korrik për të mbajtur protestën e radhës kundër Qeverisë, e para që prej mbajtjes së zgjedhjeve të 30 qershorit. Pas vendimit të marrë një ditë më parë, kreu i PD, Lulzim Basha, thërriti këtë mëngjes në mbledhje kryesinë e partisë si dhe grupim parlamentar të përbërë nga deputetët që dhanë dorëheqjen nga mandatet e tyre.

Sipas burimeve të A2 CNN nga mbledhja mësohet se Basha ka thënë: “Jemi në prag të finalizimit të aksionit tonë. Do të vijojmë të mbajmë komunikim me qytetarët dhe ndërkombëtarët. Shqiptarët e refuzuan Ramën. Nuk do të ketë pushime për ne, por as për kundërshtarin.

“Rama edhe kur i bën i vetëm kandidimet, votimet dhe numërimin, edhe kur nuk ka kundërshtar për të vjedhur, vjedh dhe manipulon. Këtë e dëshmojnë qindra denoncime nga media dhe mijëra të tjera nga qytetarët si dhe gjetjet nga raporti paraprak i ODIHR, më i keqi që nga viti 1997. Rama e bëri për të rritur pjesëmarrjen fiktive. ODIHR vuri vulën për rolin kriminal të KQZ në këtë operacion të paparë manipulimi. Me Edi Ramën nuk mund të ketë kurrë zgjedhje të lira”, mësohet të ketë thënë Basha

Sipas kreut të opozitës, konstatimet paraprake te ODIHR nxjerrin mes shumë problemeve 2 çështje kryesore: dekreti i Presidentit është në fuqi, farsa e 30 qershorit është e pavlefshme sepse është kundër parimit themelor të sundimit të ligjit; regjistrimi i patericës së krijuar nga Edi Rama për të krijuar iluzionin e garës u bë në shkelje të ligjit.

Sipas Bashës, refuzimi që shqiptarët i bënë farsës është refuzim ndaj regjimit të Edi Ramës. “Detyra jonë është që, nëpërmjet aksionit tonë politik, ta kthejmë këtë nga shumicë refuzuese për regjimin e Ramës, në një shumicë shprese dhe besimi për ndryshim. 30 qershori vetëm na motivon më shumë në vendosmërinë tonë: largimi i Edi Ramës, ndëshkim të politikanëve që vodhën zgjedhjet në bashkëpunim me krimin dhe të gjithë atyre që organizuan dhe zbatuan farsën e 30 qershorit, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira e të ndershme, parlamentare dhe lokale.

Pak para mesdite, Partia Demokratike zhvilloi edhe një mbledhje urgjente të Këshillit Kombëtar për të diskutuar hapat e mëtejshëm të aksionit opozitar.

Shkarkoni aplikacionin e A2