Befason Robben, lajmëron tërheqjen nga futbolli

Ish lojtari i Chelsea, Real Madrid dhe Bayern Munich, Arjen Robben i ka surprizuar të gjithë me lëvizjen e tij të fundit, ku ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij si futbollist.

Holandezi 36 vjeçar vari kështu këpucët në gozhdë duke i dhënë fund një karriere 19-vjeçare të shkëlqyer të mbushur plot me trofe.

Futbollisti i Kombëtares holandeze, me të cilën shkoi deri në finalen e Kupës së Botës, regjistron 606 ndeshje dhe 210 gola të shënuar në të gjitha ekipet ku ka luajtur.

Kam vendosur që ta mbyll karrierën time si profesionist. Pa dyshim, është vendimi më i vështirë, që më është dashur të marr ndonjëherë në jetë. Një vendim, në të cilin zemra dhe mendja përplaseshin me njëra-tjetrën. Dashuria për lojën të jep bindjen se ende mund të përballesh me gjithë botën, përballë realiteti se jo çdo gjë shkon ashtu si ti e do, dhe nuk je më djali 16-vjeçar që nuk e njeh dëmtimin. Për momentin, jam me shëndet dhe në formë, dhe si një tifoz i futbollit dhe shumë sporteve të tjera, dua të vazhdoj me këtë stil jete edhe në të ardhmen” kështu e njoftoi Robben largimin e tij.

Pas largimit nga Bayern, edhe pse në moshën 36-vjeçare, Robben kërkohej sërish nga klube të tjerë si PSV, Ajax apo dhe ekipe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Anësori holandez e nisi karrierën e tij tek Groningen dhe më pas kaloi te PSV, më pas nënshkroi një kontratë me blutë e Chelsea ku qëndroi 3 vjet. Në 10 vitet e fundit ai luajti me Bayern Munchen ku edhe  sezonin e shkuar e mbylli sërish me një trofe.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN