Berisha mbështetet te deklarata e ODIHR: Dekreti i Presidentit sfidohet vetëm në Kushtetuese – A2

Berisha mbështetet te deklarata e ODIHR: Dekreti i Presidentit sfidohet vetëm në Kushtetuese

Ish-Kryeministri Sali Berisha tha se misioni i ODIHR nuk duhet të kishte ardhur fare në Shqipëri më 30 qershor, për të monitoruar zgjedhjet vendore. Megjithatë, ai vlerësoi raportin paraprak të publikuar një ditë më pas, edhe pse i quajti qesharake deklaratat e ndërkombëtarëve që opozita t’i drejtohet Gjykatës Kushtetues.

“Misioni i ODIHR deklaroi se dekreti i Presidentit është në fuqi dhe ai mund të sfidohet jo nga narko komisionerët e PS në KQZ, jo nga narko gjykatësit e narko partisë në Kolegjin Zgjedhor. ODIHR, të cilit duhet t’i njoh një meritë, tha se në dallim nga ata që donin t’i bënin gjykatës dekretit Denar Bibën dhe Kolegjin, deklaroi se dekreti mund të gjykohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese”, tha Berisha.

Ish-kryetari i PD komentoi edhe qëndrimin e opozitës ditën e zgjedhjeve, duke thënë që bëri shumë që u tërhoq, edhe pse më parë kishte deklaruar se do të pamundësonte fizikisht mbajtjen e tyre.

Shkarkoni aplikacionin e A2