Porosia e komisionerit Hahn: Rrisni ritmin e reformave! – A2

Porosia e komisionerit Hahn: Rrisni ritmin e reformave!

Eurokomisioneri për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, tha në Samitin e Ballkanit Perëndimor në Poznan të Polonisë, se të gjitha vendet e rajonit duhet të rrisin ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë.

Ai vlerëson reformat e Shkupit dhe Tiranës dhe paralajmëron se mungesa e vlerësimit për shtetet që kanë bërë arritje historike do të dëmtojë besueshmërinë e Unionit Europian.

“Mbështes rekomandimet e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe kam besim se Këshilli i tetorit do të ndjekë rekomandimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë përmbushur reforma, veçanërisht në fushat e përmendura në konkluzionet e Këshillit të qershorit të 2018-s”, tha Hahn.

Më tej, ai theksoi se Bashkimi Europian do të vazhdojë mbështetjen e reformave të Ballkanit Perëndimor. Një tjetër përkushtim që Unioni do të vijojë të ndjekë është ai i investimeve ekonomike në rajon, thekson Hahn.

Eurokomisioneri ndër të tjera i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për tarifën 100% të vendosur nga Prishtina: “Kundërshtojmë me forcë vendosjen e pengesave tregtare si mjet presioni politik”.

Në fund ai i kërkoi liderëve të Ballkanit që të punojnë për marrëdhënie të mirë fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe pajtim, pasi këto janë kushte për anëtarësim në BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2