“Reforma nuk negociohet”, shefja e ONM: Duam të shohim njerëz në burg

Reforma në Drejtësi dhe integrimi ishin kryefjala e Genoveva Ruiz Calavera, shefe e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, gjatë samitit për Ballkanin Perëndimor që u zhvillua në Poloni.

Një shtet ligjor funksional dhe një sistem gjyqësor I pavarur janë thelbësore, theksoi Calavera. Ndërsa për reformën në drejtësi nënvizoi se nuk është më një çështje e negociueshme. Referuar procesit të integrimit, ajo tha se kur Brukseli negocion anëtarësimin, kërkon një historik treguesish. 

“Kjo do të thotë që ne duam të shohim që ligjet zbatohen, duam të shohim njerëzit në burg, asetet e krimit të sekuestrohen dhe ne duam të kemi mjaftueshëm fakte dhe prova, jo vetëm ligje, për të demonstruar që sistemi është i konsoliduar”, deklaroi shefja e ONM.

Për integrimin e rajonit foli dhe Eurokomisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë, Johannes Hahn. Ai kërkoi nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që të rrisin ritmin e reformave, veçanërisht në sundimin e ligjit, të drejtat themelore dhe qeverisjen e mirë. Hahn paralajmëron se mungesa e vlerësimit për shtetet që kanë bërë arritje historike do të dëmtojë besueshmërinë e Unionit Europian.

“Mbështes rekomandimet e Komisionit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë Veriore dhe kam besim se Këshilli i tetorit do të ndjekë rekomandimin tonë pozitiv. Të dyja vendet kanë përmbushur reforma, veçanërisht në fushat e përmendura në konkluzionet e Këshillit të qershorit të 2018-ës”, u shpreh Komisioneri Hahn.

Eurokomisioneri, ndër të tjera, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të gjejnë sa më parë një zgjidhje për tarifën 100% të vendosur nga Prishtina. Ndërsa në fund ai i kërkoi liderëve të Ballkanit që të punojnë për marrëdhënie të mira fqinjësore, bashkëpunim rajonal dhe pajtim, pasi këto janë kushte për anëtarësim në BE.

Shkarkoni aplikacionin e A2 CNN